Asistent Dentar

Asistent Dentar është një profesion mjaft i kërkuar. Secili që mbaron këtë cikël shkollimi aftësohet për punë duke u pajisur me certifikatën (licencën) që i siguron atij punësim të shpejtë.

Asistenti dentar është dora e djathtë e secilit dentist e ndihmuesi kryesor i secilit pacient. Ai merr të dhënat e pacientit, e shoqëron atv deri tek karriga stomatologjike, kujdeset për dezinfektimin dhe sterilizimin e instrumenteve dhe aparaturave mjekësore, bën përgatitjen e salles së operacionit për intervenim kirurgjik, bën përgatitje pre-operative dhe kujdesin post operativ të pacientit si dhe ndihmon në dhënien e këshillave për higjienën orale.

Njohja e faktorëve psikologjik i mundëson Asistentit Dentar për vendosje të një marrëdhënie pozitive me pacientin dhe familjen e tij, me qëllim të zvogëlimit të ankthit dhe rritjes së motivimit të pacientit. Secili prej atyre që përfundon këtë cikël shkollor mund të punësohet nëpër Qendra Klinike, Qendra Spitalore, Qendra për kujdesin e të moshuarve, Klinika private etj.

Kohëzgjatja e shkollimit është tre vite dhe pas përfundimit të shkollimit nxënësi fiton diplomën profesionale me titull Asistent Dentar – një licencë pune dhe ka mundësi të  integrohet  në tregun e punës apo shkollim të mëtutjeshëm në arsimim universitar.

Asistenti dentar është një prej profesioneve më të kërkuara në vend. Rritja e mirëqenies ka ndikuar që qytetarë të kenë kujdes shumë të madh për dhëmbët dhe higjienën orale. Kjo ka bërë që të rritet numri i klinikave dentare të cilat janë të stërngarkuar me pacientë. E pikërisht ne me programin tonë mësimor të avancuar ju ofrojmë mundësinë unike për t’iu përfshirë në tregun e punës.